Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka treguar se në 25 prill do të jetë në terren së bashku me 24 ekipe të ambasadës së SHBA për të monitoruar procesin e votimit.
Ajo tha se në fund do të jetë OSBE/ODIHR që do të japë verdiktin përfundimtar, ndërsa shtoi se udhëheqësit e partive e kuptojnë rëndësinë që kanë këto zgjedhje për të ardhmen e Shqipërisë.
“Ditën e zgjedhjeve do të shkoj në disa nga pikat kyçe. Nuk e kemi bërë planin ende, por nga ambasada e SHBA do të ketë 24 ekipe që do të shpërndahen në të gjithë vendin. Në fund do të mbështetemi te OSBE/ODIHR që në fund do të japë verdiktin për zgjedhjet.” – tha disa ditë më parë Kim.
Në kuadër të vëzhgimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ndërkombëtarët do të jenë nesër në terren. Sipas agjendës së siguruar mësohet se ambasadori i BE, Luigi Soreca do të jetë në Tiranë, shkolla “Dora D’Istria”, rreth orës 08:30, në Elbasan rreth orës 11:00 tek Teatri Skampa, në Kavajë dhe në Durrës.
Ndërkaq ambasadori Britanik, Duncan Norman në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve do të jetë në Durrës, Elbasan, Fier dhe Peqin.
Ndërsa ambasadorja Ursula Gacek e cila kryeson Misionin e Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, do të jetë në Tiranë ku pritet që të japë një deklaratë për shtyp ditën e zgjedhjeve.
Diskutime rreth kësaj post