Rreth 9 mijë banorë të Njësisë Administrative nr. 11 do të përfitojnë nga investimi i Bashkisë së Tiranës për më shumë hapësira publike, rrugë të reja, mure dekorative, sinjalistikë rrugore dhe zhvendosje të linjave elektrike dhe telefonike.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në bllokun e banimit prej 30 hektarësh në njësinë nr. 11, ku është investuar për rikonstruksionin e rrugëve, si dhe infrastrukturën mbitokësore dhe nëntokësore të kësaj zone.
“Investimi që përurojmë sot është një investim që i ka kushtuar 2 milion dollarë Bashkisë së Tiranës, në një zonë informale, e cila njihet si blloku i Shinave, pranë Bregut të Lumit, në zonën administrative të Laprakës. Më vjen mirë për 9 mijë banorët e zonës që përfitojnë nga ky investim, i cili përfshin sinjalistikë, trotuare, hapësira publike, rrugë të asfaltuara etj”, u shpreh Veliaj.
Sipas tij, njerëzit nuk jetojnë vetëm me asfalt, por kanë nevojë edhe për institucione sociale. “Për herë të parë, në këto zona po pilotojmë një koncept të ri, ku jemi duke ulur muret rrethuese, në mënyrë që njerëzit të ndjejnë se jetojnë në komunitet. Në qytet kemi nevojë për hapësira për sytë dhe fëmijët tanë, si dhe për hapësira publike për të liruar trotuaret ku kalojnë familjarët e secilit prej nesh”, tha Veliaj.
Po ashtu, krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, kryetari i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se janë duke vijuar punimet në zonën e Bregut të Lumit, për të forcuar të dy anët e lumit, me qëllim për të shmangur përmbytjet e së kaluarës.
“Duke kryer investime të tilla, i tregojmë çdo qytetari që ato pak taksa modeste që paguan për Bashkinë e Tiranës po i administrojmë me korrektesë dhe po rrisim ndjeshëm cilësinë e jetës në këtë zonë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Veliaj theksoi se qytetarët përfitojnë nga këto investime edhe me rritjen e vlerës së pronës së tyre. “Nga ky investim i fundit për 9 mijë banorë që jetojnë në këtë zonë, të gjitha agjencitë e pasurive të paluajtshme thonë se vlera e pronës është rritur nga 50-70%”, tha Veliaj. Ai ftoi të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë për të ruajtur investimet. “Duke ruajtur investimet e përbashkëta, secili prej nesh rrit edhe vlerën e pronës së tij, duke bashkëpunuar me bashkinë”, u shpreh Veliaj.
Projekti i zbatuar nga Bashkia e Tiranës solli ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve, si edhe infrastrukturën mbitokësore dhe nëntokësore, duke e kthyer këtë zonë në kushte optimale jetese.
Diskutime rreth kësaj post