Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpalosi këtë të shtunë programin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.
Basha deklaroi në fjalën e tij se shqiptarët meritojnë më shumë dhe PD do t’ua ofrojë atë.
Sipas tij, ekspertët më të mirë pranë Partisë Demokratike në bashkëpunim me partnerët e huaj dhe organizatat ndërkombëtare kanë hartuar një program që gjen zgjidhje për problematikat me të cilat hasen qytetarët shqiptarë sot.
“Shqiptarët meritojnë zgjidhje dhe ne sot jemi këtu që t’i shpalosim këto zgjidhje para shqiptarëve. Një Shqipëri e plakur nga emigracioni, një Shqipëri e pakur nga varfëria, familje që lëngojnë nën zgjedhën e çmimeve të larta, rini e pasigurt, papunësi kronike, të gjitha këto janë produktet e vetme të shportës së Edi Ramës.
Eksporti më i madh i Edi Ramës janë të rinjtë shqiptarë. Partia Demokratike vjen me grupin më të mirë të ekspertëve që në bashkëpunim me ekipet më të mira të aleatëve ndërkombëtar si SHBA-ja dhe Gjermania, ju paraqesim sot programin e Partisë Demokratike ‘Shqipëria meriton më shumë’.
Për më shumë se një vit duke prekur hallet e shqiptarëve, duke mbledhur problematikat nga çdo grup interesi ne vijmë sot me këtë program të hartuar nga 100 ekspertë pranë PD që ndodhen në këto tavolina.
Sot nisim një udhëtim disa mujor, shpalosja e alternativës nuk është fundi por pikënisja e këtij udhëtimi. Që të hënën PD do të angazhohet në një dialog të përditshëm me shqiptarët”, tha Basha, njofton euronews.al.
Si pjesë të programit të PD, Basha nënvizoi pikat kyçe që përfshijnë rritje të pagave dhe pensioneve, taksë e sheshtë për qytetarët, bizneset dhe profesionistët e lirë, 2 mijë euro shpërblim për çdo bebe të lindur, subvencione për fermerët si dhe heqje të vizave me SHBA-të.
Diskutime rreth kësaj post