“Jemi popull dembel, kurrë nuk ngrihemi për të drejtat tona. Shqiptari ka kaluar nga një pushtues në tjetrin pa reaguar fare. Fshatari shqiptar ka vetëm kazmë dhe lopatë në shtëpi, kurse ai europian dhjetra vegla për punë”. Ky prononcim në Abcnews.al “shkundi” shqiptarët në fundjavë dhe brenda 48 orëve mori një milion shikime, ndërsa vijon që të shpërndahet me të njëjtin ritëm. Gazetari i Abcnews.al, Ermal Vaka kontaktoi sërish qytetarin që dha disa leksione të forta, i cili është profesor në Universitetin Bujqësor. Prof. Dr. Lush Susaj u shpreh se intervistën ia kishin dërguar shumë miq dhe se e ka pritur shumë mirë. Por nga buron shpërndarja me shpejtësi “rrufe” e mesazhit të tij? “Reagimi i njerëzve për të vërtetat që kam artikuluar në këtë intervistë, e që njerëzit duan ti dëgjojnë e të mësojnë se si mund të ndryshojnë sjelljen dhe realitetin e tyre jetësor e politik. Unë mendoj se njerëzit kanë reaguar nga të vërtetat e thëna troç” shprehet ai.
Intervista e plotë
Përmes intervistës në Abcnews.al, ju ishit personazhi kryesor në rrjetet sociale gjatë fundjavës që kaluam, si e pritët këtë?
Unë e ka pritur shumë mirë, për faktin që pash që njerëzit e duan, madje janë të etur për të vërtetën e thënë troç. Kuptova edhe faktin që, në pjesën më të madhe qytetarët e kanë kuptuar shumë mirë shqetësimin dhe mesazhin tim në lidhje me raportin që duhet të kemi me të vërtetën dhe domosdoshmërinë e njohjes dhe përballjes reale me problemet shoqërore, shtetërore e politike që kemi si shoqëri e si komb.
Unë u ndjeva mirë edhe për faktin se shqiptarët kudo janë, pavarësisht nga faktorët dhe forcat regresive, realisht e duan ndryshimin, e duan qarkullimin e elitave dhe se mëzi presin për të qenë pjesë reale e Europës, që do të thotë të kenë një shtet demokratik, gjithëpërfshirës e të çliruar nga trashëgimia e sundimtarëve dhe diktatorëve hajdutë e hipokritë me popullin e tyre, dhe me BE dhe SHBA. Unë e kisha harruar fare atë intervistë të dhënë për juve në një rastësi të plotë, diku tek Stacioni i Trenit. I pari që ma dërgoi video- intervistën (me datën 16 Shtator 2021), që një ish student i mi nga Mulleti, i cili me falenderonte dhe me thoshte se jam krenar që kam marrë përvojë dhe mësime të vyera prej jush. Pastaj e pash dhe e dëgjova me vëmendje vetveten dhe kuptova që kam thënë disa të vërteta që duhen pranuar e ndryshuar në të mirë të shoqërisë dhe prosperitetit të kombit tonë.
Çfarë reagimesh keni pasur nga ata që ju kanë shkruar?
Unë kam marrë falendrime pa fund dhe do doja që ti falënderoja të gjithë ata që me kanë kuptuar. Njëkohësisht kam lexuar edhe reagime që burojnë nga padija dhe nga një farë trysnie e frike që ekziston tek njerëzit e lidhur me administratën nepotike ose me të kaluarën e errët ku pot e flisje hapur, përfundoje në burg. Unë e kuptoj që një pjesë e njerëzve do të donin që të thosha se: “jemi shumë mirë”, “po hamë e pimë me lugë floriri”; “po hedhim valle në gojën e ujkut”, “jemi fanarë ndriçues për Europën dhe SHBA”, “jemi qepur maleve e kodrave e po i bëjmë fusha pjellore”, “jemi të pathyeshëm e grusht bashkuar rreth partisë-partive”, etj, si këto. Unë i mirëkuptoj edhe këta, por ajo që realisht duan shqiptarët është integrimi në jetën shoqërore e politike, integrimi në tregjet rajonale të punës, të produkteve, të projekteve dhe të ideve.
Sundimtarët e njëpasnjëshëm orientalë, kanë kultivuar hipokrizinë dhe sjelljen më të shëmtuar ndaj punës, shoqërisë, natyrës dhe mendimit njerëzorë. Kanë kultivuar frikën, tarafin, mllefin, nihilizmin, sofizmin, ikjes nga ballafaqimi dhe e vërteta. Kanë jetuar e sunduar në mënyrën më mizore të mundshme një popull të mashtruar e të lënë nën një mungesë totale të dritës së dijes dhe të komunikimit me botën demokratike. Shqiptarët kanë emigruar dhe e kanë kuptuar këtë realitet të trishtë, ndaj po rritet reagimi dhe vendosmëria për ta prerë sa më parë këtë vazhdimësi të rrëjshme me dritë, me arritje, me vezullime, me trimëri, me vepra, etj, që nuk i shef askush e që ekzistojnë vetëm si propagandë dhe fasadë, poshtë së cilës është një Shqipëri e vjedhur dhe e rrjepur në mënyrën më të keqe e më mizore të mundshme.
Çfarë mendoni që i ka shtyrë qytetarët të mirëpresin dhe shpërndajnë masivisht mesazhet që ju dhatë?
Unë, krahas Fakultetit të Bujqësisë (1982-1986), kam studiuar edhe për Filozofi në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike (1984-1988), e që atëherë unë jam njohur me një shembull të shkëlqyer të një filozofi gjerman, Baruk Spinoza (1632-1677). Spinoza thoshte që: “Liria e vërtetë është të njohësh thellësisht domosdoshmërinë e substancës së vërtetë”, që do të thotë të njohësh të thjeshtën të pandashmen e të përjetshmen, njohje që qëndrojnë në themel të dashurisë për jetën dhe për lirinë. Kujtoj që Spinozën e lutën aq shumë që të shkonte e të jepte mësim si profesor në universitetin e Berlinit dhe refuzoj duke thënë që: “Dua të jem i lirë e i pavarur”.
Solla këtë shembull nga filozofia për të kuptuar faktin që njerëzit janë ngjarje apo objekte jetësore të vërteta, e që duan të jetojnë të lirë e në vërtetësinë e tyre hyjnore. Këtu buron edhe reagimi i njerëzve për të vërtetat që kam artikuluar në këtë intervistë, e që njerëzit duan ti dëgjojnë e të mësojnë se si mund të ndryshojnë sjelljen dhe realitetin e tyre jetësor e politik. Unë e di që përtej fasadave propagandistike për zhvillimet kulmore në fushën e arsimit, qëndron humnera dëshpëruese e dekurajuese me të cilën përballën nxënësit, studentët, mësuesit dhe pedagogët e gjithë Shqipërisë.
Po kështu është edhe bujqësia e vjedhur deri në ekstrem, edhe mjedisi i masakruar barbarisht, edhe mineralogjia që po shkon drejtë kolapsit, edhe urbanistika që po shkon drejt kaosit e ambientit super të ndotur, etj. Kështu mund të sjellim shembuj pa fund. Por që të gjitha këto probleme, burojnë nga mashtrimi dhe hipokrizia e pështirë me reformat shtetërore e politike që synojnë orientimin dhe integrimin Europian dhe Atlantik. Gjithmonë është folur për demokraci dhe orientim Euro Atlantikë, ndërsa përfundimi ka qenë diktaturë obskurantiste e orientale dhe modele shtetërore e politike orientale e aziatike. Shqiptarët e kanë kuptuar, kjo me gëzon pa masë.
Unë e di që sa më shpejtë të hapin sytë e mendjes dhe zemrave të tyre, aq më shpejtë do të vijë liria dhe demokracia, integrimi real në BE dhe në strukturat e tjera Euro Atlantike. Shqiptarët po e kuptojnë mekanizmin dhe litarin e prapambetjes otomane e komuniste. Unë e di që një ditë do ta kuptojnë e do ta deskriptojnë e shquajnë deri në qartësi të plotë kotësinë, fiktivitetin dhe errësirën e sundimtarëve dhe modeleve shtetërore e politike orientale. Ndihem i lumtur, qoftë edhe për një sy të hapur në këtë rrugë ku së shpejti do të kalojë drita e prosperitetit të botës shqiptare. Dritë pa lirinë dhe të vërtetën e pranuar e të artikuluar nuk. Unë mendoj se njerëzit kanë reaguar nga të vërtetat e thëna troç.
Video:
Diskutime rreth kësaj post