Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje Ankandin e Bonove të Thesarit KV003-16, ku u ofertuan Bono Thesari 12-mujore në vlerë nominale prej 25 milionë euro. Në një komunikate për media të Ministrisë për Financa thuhet se shuma e ofertuar do të shërbej për ri-financimin e instrumentit të emetuar në shkurt 2015.
Në ankandin e Bonove të Thesarit, tregu ka shfaqur kërkesë për blerje në vlerë 72.2 milionë euro. Kjo është shuma më e lartë që ndonjëherë ka ardhur si kërkesë e tregut të Bonove të Thesarit. Ndërsa, është pranuar vetëm shuma e shpallur paraprakisht e cila është 25 milionë Euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.97% vjetore, gjë që paraqet një dallim prej 56 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të bonove 12-mujore, e cila ishte 1.53%.
Blerësit e Bonove të Thesarit sipas kategorive janë Bankat private me 24.75 milionë euro si dhe Kompanitë e sigurimeve me 0.25 milion euro dhe si rezultat i normës më të ulët të ri-financimit do të kemi edhe të hyra buxhetore prej 138,036.59 euro.
Ankandi i Bonove të Thesarit i mbajtur dje është edhe një tjetër vlerësim pozitiv që kanë institucionet financiare në vend për stabilitetin financiar të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur kështu interesimin e tyre të lartë dhe gatishmërinë për Bonot e Thesarit. Por, njëherit është edhe përkushtim i Qeverisë së Kosovës për transparencë dhe treg të pastër të bonove të thesarit./KosovaPress/
Diskutime rreth kësaj post